A rritet cdo fije bari sepse Zoti e drejton vete? A ecen cdo buburrec sepse Zoti i percakton cdo hap? A bie cdo rrufe me nje urdher te posacem hyjnor? Dhe kur nje vullkan shperthen, a eshte kjo nje komande e drejtperdrejte e Zotit?
Keto pyetje prekin nje nga ceshtjet me interesante te besimit: marredhenien midis providences se Zotit dhe lirise se krijimit.
Nese themi se Zoti kontrollon absolutisht cdo levizje, duhet te pyesim: a eshte atehere cdo ngjarje nje vendim i drejtperdrejte i Tij? Nese nje peme bie mbi nje shtepi dhe ben deme, nese nje termet shkaterron nje qytet apo nese nje njeri kryen nje vrasje, a duhet tia atribuojme cdo veprim drejtperdrejt Zotit? Ketu fillon dallimi midis asaj qe Zoti lejon te ndodhe dhe asaj qe Zoti deshiron ose urdheron.
Marrim barin qe rritet ne nje fushe. Ai nuk ka vetedije, nuk mendon dhe nuk merr vendime. Ai rritet nepermjet proceseve biologjike, duke perdorur ujin, driten dhe lendet ushqyese. Shkenca shpjegon menyren se si ndodh kjo, por nuk e perjashton pyetjen se kush e ka krijuar nje bote ku keto procese jane te mundura. Ne Mateu 6:28-30, Jezusi na fton te vezhgojme zambaket e fushes dhe menyren se si Zoti kujdeset per krijimin. Ai nuk po na thote domosdoshmerisht se cdo petal hapet pas nje urdhri te vecante, por se vete ekzistenca dhe bukuria e krijimit jane deshmi e kujdesit hyjnor - thene me sakte, rezultat i nje plani.
Pastaj kemi buburrecin qe ecen. Ai leviz sipas instinktit, kerkon ushqim, shmang pengesat dhe ndervepron me mjedisin. A duhet te mendojme se Zoti i komandon kembet e tij ne cdo hap? Apo se Zoti ka krijuar nje organizem me aftesine per te funksionuar sipas natyres se vet? Te Fjalet e Urta 6:6-8, Bibla na drejton te milingona si shembull i punes dhe organizimit. Verejme se Shkrimi i Shenjte perdor sjelljen e nje krijese te vogel per ti mesuar njeriut dicka. Kjo tregon se krijimi ka nje rend dhe nje funksion, jo se cdo levizje duhet te jete rezultat i nje nderhyrjeje te re hyjnore.
Po rrufeja? A bie sepse Zoti vendos ne ate cast se duhet te godase nje pike te caktuar? Ne e dime se rrufeja eshte nje shkarkim elektrik qe krijohet nga ndryshimet e ngarkesave elektrike ne atmosfere. Shkenca pershkruan mekanizmin, por Bibla na kujton madheshtine e Zotit permes ketyre dukurive. Ne Jobi 37:3-5 pershkruhen bubullima dhe zeri madheshtor i Zotit ne stuhi. Ndersa ne Jobi 38:25-27, Zoti e pyet Jobin se kush i hap rruge shiut dhe kujdeset per token e shkrete. Mesazhi nuk eshte nje manual meteorologjie, por nje kujtese se natyra, me gjithe fuqine dhe kompleksitetin e saj, nuk eshte jashte krijimit te Zotit.
Dhe pastaj vjen vullkani qe shperthen, per hir te shembujve qe mora ne fillim. Toka ka procese gjeologjike, pllaka tektonike, presion magmatik dhe energji te grumbulluar ne brendesi te saj. Kur keto kushte arrijne nje pike te caktuar, ndodh shperthimi. A duhet ta shohim cdo shperthim si nje vendim te drejtperdrejte te Zotit? Jo domosdoshmerisht. Fakti qe nje ngjarje ndodh brenda krijimit te Zotit nuk do te thote se cdo hollesi e saj eshte nje veprim i drejtperdrejte i vullnetit te Tij.
Ne kete pike duhet te kujtojme nje varg shume te rendesishem: Kolosianeve 1:16-17. Apostulli Pal shkruan se gjithcka eshte krijuar nepermjet Krishtit dhe per Te, dhe se gjithcka qendron ne Te. Ky eshte themeli i besimit se krijimi nuk ekziston ne menyre te pavarur nga Zoti. Ai eshte burimi dhe mbeshtetja e ekzistences se tij. Por kjo nuk na detyron te mendojme se Zoti duhet te nderhyje drejtperdrejt ne cdo proces natyror.
Edhe vete Jezusi, te Mateu 5:45, thote se Ati ben te linde diellin mbi te miret dhe te keqijte dhe dergon shiun mbi te drejtet dhe te padrejtet. Kjo na tregon nje Zot qe kujdeset per krijimin ne teresi, pa e kthyer cdo dukuri natyrore ne nje shperblim apo ndeshkim te personalizuar.
Por ceshtja behet edhe me e nderlikuar kur kalojme nga natyra te njeriu; a kontrollon Zoti edhe cdo vendim te njeriut? Nese po, cfare kuptimi ka pergjegjesia morale? Pse Zoti na urdheron te mos vrasim, te mos vjedhim dhe te mos tradhtojme, nese cdo veprim eshte i percaktuar drejtperdrejt prej Tij?
Te Ligji i Perterire 30:19, Zoti i vendos perpara popullit jeten dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin, dhe e fton te zgjedhe jeten. Ndersa te Jakobi 1:13-14 thuhet se Zoti nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askend; njeriu tundohet nga deshirat e veta. Keto vargje na ndihmojne te kuptojme se pergjegjesia per zgjedhjet njerezore nuk mund te zhduket duke ia atribuar cdo veprim nje kontrolli te drejtperdrejte hyjnor.
Atehere, a kontrollon cdo levizje Zoti?
Pergjigjja kerkon nje dallim te rendesishem: Zoti eshte Krijuesi, Mbeshtetesi dhe Zoteruesi i gjithckaje, por kjo nuk do te thote se Ai e drejton cdo ngjarje ne te njejten menyre. Ka procese natyrore qe zhvillohen sipas ligjeve te krijimit, ka vendime njerezore qe mbartin pergjegjesi morale dhe ka raste kur Bibla na zbulon nderhyrjen e drejtperdrejte te Zotit.
Te thuash se Zoti nuk kontrollon mekanikisht cdo hap nuk do te thote te thuash se Ai nuk ka pushtet mbi krijimin. Po keshtu, te thuash se Zoti ka pushtet mbi gjithcka nuk do te thote se cdo fatkeqesi eshte nje ndeshkim i derguar prej Tij. Por nese pyesim se a mund te ekzistoje nje krijim qe funksionon pa qene i pavarur nga Krijuesi, atehere pergjigjja biblike eshte se jo: asgje nuk ekziston jashte Tij. Por kjo nuk do te thote se cdo gje qe ndodh eshte pikerisht ajo qe Ai deshiron te ndodhe. Ai ka krijuar nje univers qe funksionon vete, me nje rend te jashtezakonshem, pa pushuar se qeni i varur prej Tij.

Comments (0)
No comments yet.
Leave a comment